Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.02.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 25/2023, datë 20.06.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 651, datë 27.04.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Urim Buci.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se një denoncim i ri i mbërritur në Kolegj më datë 14.02.2024, u ishte përcjellë palëve për njohje. Lidhur me këtë denoncim, Komisionerja Publike deklaroi se shkaqet e ankimit janë të mjaftueshme për kërkimin e ankimit dhe se do të mbante qëndrim lidhur me të, nëse trupi gjykues do të vendoste riçeljen e hetimit gjyqësor.
Subjekti i rivlerësimit u shpreh se, nuk ishte e nevojshme të çelej hetim mbi këtë denoncim, duke vënë në dispozicion disa akte të çështjes së ngritur në denoncim.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi të mos hetojë mbi denoncimin e depozituar rishtas në Kolegj, pasi nuk përmban fakte apo rrethana që plotësojnë kriteret e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerja Publike në konkluzionet përfundimtare, deklaroi se edhe pas shqyrtimit të çështjes në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë pretendimet e tij mbi ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurisë. Lidhur me denoncimet, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit që mangësitë e të metat e evidentuara në dy prej tyre, së bashku me situatën e konfliktit të interest, pjesë e ankimit, të merren në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin tërësor të çështjes. Përfundimisht, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 651, datë 27.04.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Urim Buci.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të tij, parashtroi se konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, nuk janë të bazuara dhe kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 651, datë 27.04.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë në datën 26.02.2024, ora 15:00.
Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.