Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.02.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 72/2021, datë 23.11.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 442, datë 14.09.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Çafka.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër kishin mbërritur aktet e kërkuara nga Kolegji, të cilat u ishin vënë palëve në dispozicion për njohje. Trupi gjykues vendosi t’i pranojë ato në cilësinë e provës. Komisioneri Publik paraqiti gjetjet e tij lidhur me aktet e dërguara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, të lidhura me çështjet e hetuara nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të denoncimeve të bëra pjesë e ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit që në referencë të rrethanave të evidentuara prej tij, të vlerësojë nëse subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë veprime të plota hetimore, në çështjet që ka trajtuar në cilësinë e prokurorit. Për të mbështetur pretendimin se në çdo çështje të referuar, hetimet janë kryer të plota, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë të arsyeshme për të paraqitur në Kolegj edhe disa akte shtesë në mbështetje të pretendimeve të tij. Pas disa sqarimeve që relatorja u kërkoi palëve lidhur me qëndrimet e tyre të mbajtura gjatë seancës së sotme dhe pasi ftoi subjektin e rivlerësimit të jetë i qartë në kërkimin e tij lidhur me çeshtjet për të cilat Kolegji ka rihapur hetimin gjyqësor të çështjes, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 04.03.2024, ora 10:00, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të përcjellë pranë Kolegjit aktet e pretenduara dhe nëse ai do ta vlerësojë, paraqitjen e qëndrimit të tij me shkrim. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.