Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.03.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 3/2023, datë 17.01.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erion Pano.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk arrin të provojë ligjshmërinë e burimeve të krijimit të saj. Komisionerja Publike konstatoi gjithashtu problematika në kuadër të vlerësimit të kriterit profesional, lidhur me të cilat deklaroi se nëse merren parasysh në vlerësimin tërësor të çështjes, mund të çojnë në një vendim të ndryshëm nga vendimi i konfirmimit në detyrë, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 592, datë 24.11.2022. Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erion Pano.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi ankimin e Komisioneres Publike, duke deklaruar se pretendimet e ngritura prej saj për kriterin e pasurisë dhe të vlerësimit profesional janë të pabazuara në prova e në ligj. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Komisionerja Publike dhe subjekti i rivlerësimit iu përgjigjën disa pyetjeve të relatores në funksion të shqyrtimit të çështjes. Komisionerja Publike, e ftuar nga relatorja e çështjes, u vuri në dispozicion trupit gjykues dhe subjektit të rivlerësimit një kopje të analizës financiare për vitet 2005 – 2007.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, më datë 04.04.2024, ora 10:00.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.