Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 4 prill 2019, ora 10.00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) 20/2018, datë 17.10.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 48, datë 25.07.2018. Gjatë seancës së kaluar në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të kalojë çështjen në seancë publike, pas një gjetjeje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Gjatë séancës së sotme, subjekti i rivlerësimit kërkoi të ndihmohej në këtë gjykim në Kolegj nga znj.Ema Gashi në cilësinë e ndihmëses. Lidhur me këtë kërkesë trupi gjykues vlerësoi:
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, sipas nenit F të Aneksit të Kushtetutës, është gjykata e vetme e procesit dhe si e tillë nuk është një organ publik në kuptim të ligjit 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”. Për këtë arsye, nuk gjen zbatim neni 39 i këtij ligji lidhur me pozitën procedurale të ndihmësit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për shqyrtimin e ankimeve të paraqitura pranë tij, zbaton nenin 65 të ligjit 84/2016, i parë ky i lidhur me nenin 4, pika 6 e po këtij ligji, si dhe nenin 1, paragrafi 2 të ligjit 49/2012 për “Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Për këto arsye, trupi gjykues arriti në konkluzionin se subjektet e rivlerësimit, përfshirë edhe znj.Rovena Gashi, mund të mbrohen dhe përfaqësohen për shqyrtimin e ankimeve të tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me përfaqësues ligjor, në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 96 të Kodit të Procedurës Civile. Për sa më sipër, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi për t’i dhënë pozitën procedurale të ndihmëses znj.Ema Gashi dhe e ftoi subjektin e rivlerësimit të zgjedhë një përfaqësues ligjor, nëse e vlerëson të nevojshme.
Trupi gjykues, duke mbajtur në konsideratë: pamundësinë objektive për shkaqe shëndetësore për t’u paraqitur, të vëzhgueses ndërkombëtare znj.Mia Roessingh-Bakels;
kohën e shkurtër në dispozicion të zëvendësuesit të saj në seancën e sotme, z.Theo Jacobs, për t’u njohur me dosjen;
si dhe rëndësinë që ka në seancë prezenca e vëzhgueses ndërkombëtare (Znj. Roessingh-Bakels, e cila ka paraqitur gjetjen dhe provat bashkëlidhur saj), vendosi shtyrjen e seancës publike në datën 23.04.2019, ora 10:00.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.