
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 26.06.2024, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 29/2021, datë 28.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati.
Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë profesional, duke i kërkuar Kolegjit t’i marrë ato në konsideratë, duke disponuar çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimit të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, dha shpjegimet e saj në referencë të ankimit, duke i kërkuar Kolegjit çeljen e hetimit dhe marrjen si provë të tri akteve të reja bashkëlidhur parashtrimeve të saj, në funksion të shqyrtimit të çështjes. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se vlerësimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës dhe nivel kualifikues në kriterin profesional, është i drejtë dhe i bazuar në ligj e në prova. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021.
Pas disa pyetjeve rreth çështjes drejtuar subjektit të rivlerësimit nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi:
-Të çelë hetimin gjyqësor dhe të marrë në cilësinë e provës në bazë të nenit F, pika 3 të Aneksit të Kushtetutës, sikurse dhe nenet 45, 49 pika 1, germa “a”, të ligjit 84/2016, tri aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit
– Me shumicë votash, t’i kërkojë Komisionerit Publik të përcaktojë se cilat konkluzione konkrete të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lidhur me zërat e analizës financiare të subjektit të rivlerësimit kundërshton, sikurse dhe efektin financiar që ato japin në vlerësimin përfundimtar të kësaj analize.
Për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për të përgatitur qëndrimin e tij, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.07.2024, në orën 10:00, duke i kërkuar Komisionerit Publik ta paraqesë në Kolegj materialin e kërkuar, brenda datës 03.07.2024, në mënyrë që t’i përcillet edhe subjektit të rivlerësimit para seancës së radhës.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.