Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 26 prill 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alma Brati.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues të mos marrë në konsideratë denoncimet për rrethana që lidhen me persona të lidhur me subjektin e rivlerësimit, të  paraqitura seancën e kaluar, duke i cilësuar të sajuara, me keqinterpretime shifrash dhe pa përmbushur kushtet e një dokumenti të rregullt ligjor.

Subjekti i rivlerësimit, znj.Brati, kërkoi gjithashtu që trupi gjykues të lejojë marrjen në cilësinë e provës të dy dokumenteve të reja që ajo paraqiti seancën e sotme.

Komisioneri Publik deklaroi se do të kryejë analizë të re financiare bazuar në dokumentet e reja të paraqitura në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit dhe se do të shprehet për të, në konkluzionet përfundimtare.

Trupi gjykues vendosi të mos çelë hetimin gjyqësor lidhur me denoncimet, si dhe të lejojë marrjen në cilësinë e provës të dokumenteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit seancën e sotme.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në 22 maj, ora 10:00, në mënyrë që Kolegji të kryejë analizën financiare, pas provave të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.