Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12.09.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2024, datë 06.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 729, datë 10.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Zena Lila.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisionerja Publike deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit është i cenueshëm në tërësinë e tij, pasi subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe nuk arrin të provojë burimin e ligjshëm të krijimit të saj. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 729, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Zena Lila.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike, duke i kërkuar Kolegjit që bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, të vendosë lënien në fuqi të vendimit nr. 729, datë 10.1.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, i këshilluar në vend, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 19.09.2024, ora 14:00.
Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.