
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.06.2025, ora 11:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 11/2023, datë 10.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Kledian Llaho.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës gjyqësore konstatoi praninë e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, të subjektit të rivlerësimit z. Kledian Llaho dhe të z. Elis Bilali, që paraqiti aktin e përfaqësimit të avokatit për subjektin e rivlerësimit z. Llaho.
Përfaqësuesi ligjor i z. Llaho kërkoi shtyrje të seancës me qëllim pasjen e një kohe të arsyeshme në dispozicion për t’u njohur me ankimin dhe çështjen.
Lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme u shpreh se avokati ka pasur në dispozicion kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe ankimin, megjithatë, për një mbrojtje efektive, nuk kishte kundërshtime për shtyrjen e seancës gjyqësore.
Pasi u konsultua, trupi gjykues konstatoi se nga aktet e fashikullit rezulton se subjekti i rivlerësimit, më datë 05.12.2022, ka marrë dokumentacionin fizik dhe në formë elektronike (CD) të dosjes së hetimit administrativ pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues vendosi se, pavarësisht se subjekti i rivlerësimit ka pasur gjithë kohën e nevojshme për caktimin e një mbrojtësi dhe për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm, pranoi kërkesën e avokatit, duke shtyrë seancën gjyqësore publike për në datën datën 11.07.2025, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.