Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 15 korrik 2019, ora 13:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.36/2018, datë 04.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 61, datë 02.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentjan Osmani. Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik u shpreh lidhur me përmbajtjen e provave, ndërsa subjekti i rivlerësimit deklaroi se i qëndron kundërshtimeve ndaj ankimit të Komisionit Publik, të parashtruara seancën paraardhëse.  

Trupi gjykues i vuri në dispozicion Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit të dhënat e aksesuara nga sistemi TIMS dhe informacionin që Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi zyrtarisht Kolegjit, me kërkesë të këtij të fundit, në funksion të hetimit mbi një denoncim. Pasi u njoh me këto informacione, Komisioneri Publik deklaroi se denoncimi nuk është i bazuar në fakte, pasi asnjë e dhënë e tij nuk përkon me të dhënat e ardhura në rrugë institucionale. Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit i qëndroi kërkesës për kryerjen nga ana e Kolegjit të një analize financiare bazuar në provat e depozituara. 

Trupi gjykues vendosi se do të kryejë analizë financiare në funksion të zgjidhjes së çështjes, duke konsideruar dhe vlerësuar të gjitha provat e administruara në këtë proces. Trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe i ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare në seancën e datës 24.07.2019, ora 13.30.  Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.