Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17.07.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.29/2018, datë 05.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik paraqiti opinionin e tij mbi projekt – metodologjinë e hartuar nga Kolegji, duke vlerësuar se është e plotë nga pikëpamja strukturore, por që të konsiderohet e zbatueshme në funksion të hetimit të duhur të çështjes, nevojitet edhe administrimi në cilësinë e provës i tri burimeve të vlerësimit:

dosja personale e magjistratit, z. Gentian Medja;

mendimi i kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë;

informacion me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës.

Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit shprehu kundërshtimin e tij në lidhje me përdorimin e kësaj projekt – metodologjie për kryerjen e procesit të rivlerësimit në drejtim të kriterit professional, duke i konsideruar elementët e saj, në tejkalim të kompetencave të Kolegjit, por edhe të shkaqeve të ankimit.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq për vendimmarrje, vendosi të hetojë sipas kërkesës së Komisionerit Publik, duke i kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dokumentacion si më poshtë:

  • dosjen personale të  magjistratit, z. Gentian Medja dhe mendimin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë;

dhe Shkollës së Magjistraturës, informacion me shkrim për magjistratin, subjektin e rivlerësimit Gentian Medja.

Për sa më sipër, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 26 korrik 2019, ora 13.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.