Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.
Lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Kolegji, Komisioneri Publik deklaroi se metodologjia e përdorur, e lejon Komisionerin Publik të dalë në përfundime, pa ndryshuar standardin e deritanishëm të vlerësimit në këtë proces.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e veta lidhur me këtë analizë, si dhe paraqiti disa akte të reja shkresore që kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi të administrojë provat e reja, të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet e tyre përfundimtare në seancën e datës 22 korrik 2019, ora 8:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.