Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.07.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.34/2018, datë 13.11.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 62, datë 03.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Artur Malaj.

Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik paraqiti kërkesën paraprake për rivendosje në afat dhe për shtesë ankimi, pas dy gjetjeve me informacione të panjohura më parë, të vëna në dispozicion nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi këtë kërkesë të Komisionerit Publik, duke e konsideruar të pabazuar nga ana procedurale dhe i kërkoi trupit gjykues rrëzimin e saj.

Pasi trupi gjykues pranoi kërkesën e Komisionerit Publik, ky i fundit parashtroi shkaqet e ankimit fillestar dhe të ankimit shtesë, si dhe i kërkoi trupit gjykues të kryejë një analizë financiare të plotë, bazuar në provat e depozituara deri në këtë fazë të procesit.

Këtë kërkesë, Komisioneri Publik e bazoi në rezultatet e një analize financiare të kryer nga ai vetë, rezultate të cilat i kanë krijuar bindjen se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i cënueshëm sa i përket kriterit të pasurisë, ndaj nevojitet kontroll i gjithanshëm nga ana e Kolegjit, mbi këtë kriter.

Komisioneri Publik iu përgjigj edhe disa pyetjeve të trupit gjykues lidhur me ankimin dhe shtesën. Në kuadër të qartësimit të kufijve të ankimit, trupi gjykues i kërkoi Komisionerit Publik t’i vërë në dispozicion Kolegjit, analizën financiare brenda datës 24 korrik 2019, me qëllim që t’i përcillet edhe subjektit të rivlerësimit.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 06.09.2019, ora 10:00. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.