Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.02.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 12/2019, datë 22.02.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Besnik Cani.

Me pretendimin se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion lidhur me ndërprerjen e mandatit të gjyqtarëve Ardian Hajdari dhe Luan Daci, avokati i subjektit të rivlerësimit, nëpërmjet një kërkese paraprake, kërkoi pezullimin e gjykimit të çështjes (JR) nr. 12/2019, datë 22.02.2019, bazuar në nenin 297, të Kodit të Procedurës Civile.

Pas konsultimit, kryesuesja e seancës deklaroi se trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës paraprake, duke mos qenë në kushtet e nenit 297, të Kodit të Procedurës Civile dhe ftoi Komisionerin Publik të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me tërësinë e provave të depozituara deri në këtë fazë të procesit.

Komisioneri Publik deklaroi se u qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi, edhe pas analizës së provave të reja të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit seancën paraardhëse, nuk provohet e kundërta e ankimit. Parashtrimi i Komisionerit Publik mbi shkaqet e ankimit u kundërshtua nga subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij.

Me një vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor në funksion të shkaqeve të ankimit dhe provave të reja që u administruan dhe u bënë pjesë e fashikullit gjyqësor të çështjes.

Duke qenë se subjekti i rivlerësimit dhe Komisioneri Publik nuk paraqitën ndonjë kërkesë për depozitim të provave të reja shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 18.02.2020, ora 11:00

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.