Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla priti sot në ambientet e Kolegjit ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë ShTZ. Peter Zingraf. Gjatë këtij takimi, znj. Shtylla e njohu ambasadorin me ecurinë e deritanishme të procesit të vetting-ut dhe në mënyrë të veçantë, me shqetësimet, sfidat dhe angazhimin e Kolegjit për të patur një proces të shpejtë dhe të suksesshëm.  Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë dhe përgatitjet që po bën Kolegji i Posaçëm i Apelimit në kuadër të juridiksionit disiplinor për sistemin e drejtësisë.

Nga ana e tij, ambasadori Zingraf shprehu gadishmërinë për të ndërmjetësuar në vendosjen e një marrëdhënieje bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash sa i përket Juridiksionit Disiplinor, mes Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Gjykatës kompetente gjermane, duke konsideruar procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkelës të ligjit, si një element mjaft të rëndësishëm në rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Kryetarja e Kolegjit falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të rivlerësimit, si një element thelbësor për suksesin dhe vijimësinë e procesit të vetting-ut dhe reformës në drejtësi në tërësinë e saj.