Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 02.11.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit e kundërankimit të subjektit të rivlerësimit Elvin Gokaj, kundër vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të reja, subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe nuk ka arritur të shpjegohet bindshëm, lidhur me pagimin e këstit të parë dhe të dytë të apartamentit në Durrës, si dhe lidhur me veprimet bankare të kryera në një llogarie dyemërore të bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit dhe familjarëve të tij. Komisioneri Publik paraqiti ne seancën e sotme vetëm shkaqet e ankimit që i konsideroi thelbësore, por deklaroi se i qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit në tërësinë e tyre.
Pasi relatorja e çështjes në emër të trupit gjykues, i drejtoi Komisionerit Publik disa pyetje sqaruese lidhur me mungesën e të ardhurave të ligjshme për pasurinë “llogari dyemërore” e bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit, e përfshirë në shkaqet e ankimit si dhe në parashtrimet e tij në seancën e datës 06.10.2020, por të pacituara në parashtrimin e seancës së sotme, trupi gjykues, nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, deklaroi vendimmarrjen e tij si vijon:
- Trupi gjykues ka nevojë për një qartësim të shkaqeve të ankimit, të cilave iu qëndron ekzaktësisht Komisioneri Publik, si dhe argumentave të tij në lidhje me to, duke i kërkuar që t’i paraqesë me shkrim, pa bërë një dallim ndërmjet shkaqeve që i konsideron të rëndësishme apo të parëndësishme, pasi për Kolegjin nuk mund të ketë një ndarje të tillë, ndëmjet shkaqeve të ankimit, përsa kohë ato janë të përfshira në ankim.
- Në funksion të paraqitjes sa më të plotë shkaqeve të ankimit, i kërkojmë Komisionerit Publik të paraqesë analizën financiare për pasurinë apartament në Durrës si dhe për llogaritë dyemërore të bashkëshortes së tij me prindërit e subjektit të rivlerësimit dhe nënën e bashkëshortes, pasi në ankim, tek parashtrimet e datës 6 tetor 2020, Komisioneri Publik është ndalur për analizë vetëm në vitet 2011, 2012, dhe 2013.
Këto kërkesa të gjykatës duhet të paraqiten nga Komisioneri Publik brenda datës 4 nëntor 2020, ora 15:00, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me qëllim që më tej, t’i bëhen të ditura subjektit të rivlerësimit para seancës së ardhshme që do të zhvillohet më datë 06.11.2020, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.