Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.11.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit e kundërankimit të subjektit të rivlerësimit Elvin Gokaj, kundër vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi dërgimin pranë Kolegjit, nga Komisioneri Publik, të shkaqeve të qartësuara të ankimit, në përmbushje të detyrave të lëna nga trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, në seancën e datës 2 nëntor 2020.

Ndërkohë që Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit të qartësuara prej tij, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit konfirmoi njohjen me këto shkaqe ankimi pas vënies së tyre në dispozicion nga Kolegji dhe deklaroi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit lidhur me ankimin e Komisionerit Publik.

Përfaqësuesja ligjore deklaroi se provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit janë të mjaftueshme për të hedhur poshtë shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe vlerësoi se analiza financiare e Komisionerit Publik nuk është në përputhje me ligjin dhe provat.

Pas parashtrimit të subjektit të rivlerësimit dhe pas një debati të gjerë gjyqësor mbi ankimin dhe analizën financiare, relatorja e çështjes, në emër të trupit gjykues deklaroi vendimmarrjen, si vijon:

  • Duke qenë se trupi gjykues vijon të mbetet i paqartë lidhur me shkaqet e ankimit – në funksion të qartësimit të tyre dhe posaçërisht, lidhur me depozitat dyemërore për të cilat Komisioneri Publik ka pretenduar se bazuar në dispozitat e Kodit Civil, bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit ka 50% pjesë takuese, – i kërkon Komisionerit Publik të paraqesë brenda datës 9 nëntor 2020, ora 15:00, analizën mbi mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes së tij për krijimin e këtyre depozitave në datën e krijimit të tyre.

Kjo analizë duhet të kryhet në funksion të pretendimit të Komisionerit Publik për mungesë burimesh të ligjshme deri në datën e krijimit të depozitave dhe jo deri në fund të vitit të krijimit të tyre, sikundër është kryer analiza financiare mbi të cilën u debatua në seancën e sotme.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se brenda datës 9 nëntor 2020, analiza e re financiare do t’i përcillet subjektit të rivlerësimit, në mënyrë që të përgatitet për të paraqitur qëndrimin e tij lidhur me këtë analizë në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet në datën 11 nëntor 2020, ora 12:00. Në këtë seancë palët duhet të jenë të përgatitura edhe për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.