Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.12.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes me numër regjistri (JR) 9/2020, datë 13.02.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Agim Bendo kundër vendimit nr. 216, datë 04.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në mungesë të subjektit të rivlerësimit, përfaqësuesi ligjor i z. Agim Bendo u dëgjua nga trupi gjykues teksa parashtroi kundërshtitë e tij ndaj pikës 2 të vendimit nr. 216, datë 04.12.2019, sipas së cilës “subjekti humb të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”

Në funksion të shqyrtimit të çështjes, përfaqësuesi ligjor depozitoi dy akte, të cilat u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Pasi kryesuesi i seancës deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, përfaqësuesi ligjor paraqiti kërkimin e tij përfundimtar: pasqyrimin konkretisht të shkakut real të përfundimit të detyrave të subjektit të rivlerësimit, atë të daljes në pension, si dhe, duke patur parasysh këtë shkak, ose mosaplikimin ose alternativisht, kufizimin e masës në përputhje me të drejtat që vetë ligji i jep subjektit të rivlerësimit: ushtrimin e detyrave dhe funksioneve jo përtej moshës së përcaktuar në ligj.

Në përfundim të kësaj seance, kryesuesi i trupit gjykues deklaroi shtyrjen e saj me qëllim shpalljen e vendimit përfundimtar të çështjes: ditën e sotme, më datë 22 dhjetor 2020, ora 13:45.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.