Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12 nëntor 2018, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.9/2018, datë 19.07.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.22, datë 07.06.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.
Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, ndërsa subjekti i rivlerësimit, parashtroi kundërshtitë e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe kërkoi marrjen në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me cilësinë e provës, të disa dokumenteve që i depozitoi pranë trupit gjykues.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 16.11.2018, ora 9.30, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik të njihet me aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit Edmond Islamaj.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.