Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.09.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.
Kryesuesja e seancës bëri me dije mbërritjen e përgjigjes nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës pas kërkesës së Kolegjit, si dhe të një denoncimi të përcjellë nga Institucioni i Komisionerit Publik në adresë të subjektit të rivlerësimit.
Në funksion të shqyrtimit të çështjes, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte të reja të dërguara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë me kërkesë të tij, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së datës 26.07.2021, në funksion të hetimit mbi denoncimet ku pretendohet për një pasuri të padeklaruar nga ana e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues thërriti në cilësinë e dëshmitarit shtetasin F.K, i cili paraqiti dëshminë e tij, disa akte origjinale të kontratës paraprake të shitjes së pasurisë së paluajtshme si dhe iu përgjigj pyetjeve të trupit gjykues, të subjektit të rivlerësimit dhe të vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
I pyetur nga kryesuesja për të mbajtur një qëndrim lidhur me dëshminë e dëshmitarit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se nëpërmjet saj, u provua mungesa e çdo rrethane për nënshkrimin e një kontrate të rregullt shitjeje. Sipas z. Ngresi, kontrata e paraqitur nga dëshmitari, me të cilën u njohën Komisioneri Publik dhe subjketi i rivlerësimit, është e falsifikuar dhe e pavërtetë.
Bazuar në nenin 213 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenin 49 të ligjit 84/2016, trupi gjykues  vendosi të lejojë administrimin në cilësinë e provës të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit z. Sokol Ngresi, si dhe nga dëshmitari, shtetasi F.K.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit përsëriti qëndrimin e tij se aktet e paraqitura në seancën e sotme nga dëshmitari, nuk përbëjnë provë pasi, sipas tij, janë të falsifikuara dhe se janë objekt i një procedimi penal, pikërisht për të provuar falsitetin intelektual të tyre.
Për aktet e administruara si provë nga trupi gjykues, Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehet së bashku me konkluzionet përfundimtare, pas mbylljes së hetimit gjyqësor.
Bazuar në nenin 49, pika 1, germa “b” e ligjit 84/2016, si dhe në nenin 224/a të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi t’ia nënshtrojë ekspertimit, nëse ka elementë falsiteti në aktet origjinale të depozituara nga dëshmitari F.K si vijon:
– Kontratën paraprake të shitjes së pasurisë së paluajtshme; tri mandate arkëtimi dhe mandatin e pagesës, si dhe deklaratën për revokim kontrate prenotimi.
Gjithashtu, trupi gjykues vendosi të thërrasë në cilësinë e ekspertit kriminalist, ekspert nga Instituti i Policisë Shkencore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për qëllim të sa më sipër,  seanca do të shtyhet për në datën 21.09.2021, ora 10.00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.