Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.09.2021, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit z. Petrit Çano mbetet në pamundësi financiare për të mbuluar me burime të ligjshme pasurinë e tij. Në vlerësimin tërësor, bazuar në nenin 4, pika 2 e ligjit 84/2016, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, dhe kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit objekt shqyrtimi dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit i cilësoi si të papranueshme dhe në tejkalim të ligjit vlerësimet e Komisionerit Publik dhe deklaroi se subjekti i rivlerësimit, z. Çano, arriti që gjatë procesit gjyqësor në Kolegj, të prapësojë me akte dhe prova shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, objekt shqyrtimi dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21.09.2021, ora 15:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.