Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.10.2021, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 53/2020, datë 24.11.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 286, datë 04.08.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Genti Shala.
Në konkluzionet përfundimtare Komisioneri Publik z. Dariel Sina, deklaroi se nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, rezultoi se si shkaku i ankimit që lidhej me një denoncim që pretendonte për pasuri të padeklaruar të subjektit, ashtu edhe shkaku i ankimit në lidhje me pretendimin për ekzistencën e një kontratën huaje të pa hetuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk u provuan, duke kërkuar në përfundim lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit, në konkluzionet e tij deklaroi se nga provat e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit rezultoi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara në ligj e prova, dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 286, datë 04.08.2020.
Palët u shprehën edhe për një denoncim të depozitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në datën 04.10.2021, pasi trupa gjykuese kishte mbyllur hetimin gjyqësor të çështjes. Trupa gjykuese, pas konsultimeve, vendosi të mos e hetojë këtë denoncim.
Në përfundim të seancës, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe deklaroi tërheqjen në dhomën e këshillimit për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 11 tetor 2021, ora 13.00.
Seanca publike për shpalljen e vendimit do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.