Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.11.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 21/2021, datë 29.04.2021 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 332, datë 12.01.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Lindita Male (Ziguri).
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije mbërritjen e përgjigjeve nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Trajtimit të Kredive, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, disa shoqëri tregtare, si dhe nga një bankë e nivelit të dytë, pas kërkesës së Kolegjit për dokumentacion dhe informacion shtesë për subjektin e rivlerësimit, personin e lidhur me të, F.M, si edhe personin tjetër të lidhur A.Gj.
Pasi palët konfirmuan njohjen me përgjigjet e mësipërme, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja në funksion të hetimit të mëtejshëm të çështjes, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Këto akte iu përcollën edhe Komisionerit Publik.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen si provë të akteve të mbërritura nga institucionet, si dhe të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.
Pas këtij momenti procedural, Komisioneri Publik mbajti një qëndrim paraprak për provat në tërësi, duke sqaruar se qëndrimin përfundimtar lidhur me to, do ta paraqesë gjatë konkluzioneve përfundimtare.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores së çështjes, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, në seancën e ardhshme, më datë 2.12.2021, ora 09:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.