Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.01.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, për arsye të mosprezencës së një gjyqtareje për arsye objektive, kryesuesja e seancës u kërkoi palëve të shprehnin qëndrimin e tyre lidhur me vijimësinë e procesit. Ankuesi, z. Bujar Memia dhe përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkuan shtyrje të seancës, ndërsa përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklaruan se e lënë në çmim të gjykatës vendimmarrjen lidhur me vijimësinë e procesit.

Pasi u konsultua në vend, për të garantuar pjesëmarrjen maksimale të gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në gjykimin e kësaj çështjeje, Kolegji vendosi shtyrjen e seancës për në datën 17 shkurt 2022, ora 10:00.

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.