Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20.01.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).

E pyetur nga kryesuesja e seancës, ankuesja Enkeleida Hoxha shprehu dakordësinë që avokati i saj Ardian Visha ta përfaqësonte në prani dhe në mungesë të saj.

Në vijim të detyrave të ngarkuara nga Kolegji në seancën e mëparshme, të zhvilluar më 15 dhjetor 2021, kryesuesja bëri me dije se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte dërguar në Kolegj fashikullin e plotë me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, në bazë të të cilit është marrë vendimi nr. 92, datë 17.03.2021 i KLGJ-së. Pas mbërritjes së fashikullit, Kolegji i kishte kërkuar ankueses të paraqitej në Kolegj për t’u njohur me aktet, por znj. Hoxha, zyrtarisht, ishte përgjigjur se për arsye shëndetësore e kishte të pamundur. Kryesuesja, gjithashtu, bëri me dije se as avokati nuk i ishte përgjigjur kërkesave të përsëritura të Kolegjit për t’u njohur me dosjen.

Në vijim, e pyetur nga kryesuesja nëse kishte ndonjë kërkesë paraprake, ankuesja kërkoi njohjen me aktet në tërësinë e tyre dhe vënien në dispozicion të një kopjeje të tyre.

Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor deklaroi se është e drejtë e ankueses të njihet me aktet, ndërsa përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deklaruan se e lënë në çmimin e gjykatës vendimmarrjen lidhur me kërkesën.

Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji vendosi të pranojë kërkesën e ankueses për t’i vënë në dispozicion një kopje të akteve, në zbatim të dispozitave procedurale, por duke mbajtur në konsideratë identifikimin që vetë ankuesja do t’u bëjë akteve të vlerësuara prej saj, si të nevojshme për garantimin e së drejtës së mbrojtjes gjatë këtij gjykimi.

Për të bërë të mundur kryerjen e këtyre veprimeve, Kolegji vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 21 shkurt 2022, ora 10:00.

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.