Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 07.02.2022, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 13/2020, datë 01.06.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Jella.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se me kërkesë të Kolegjit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës kishte dërguar informacionin në kuadër të denoncimeve, informacion që u ishte përcjellë palëve në proces.

Pas dakordësisë së palëve, trupi gjykues, i konsultuar ne vend, vendosi të administrojë në cilësinë e provës përgjigjen e dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes, duke i ftuar palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Gjatë bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se u qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve në seancat gjyqësore, duke vlerësuar se provat dhe pretendimet e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella, kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se janë të pabazuara në ligj dhe në prova dhe se kërkimi i tij përfundimtar, në shkelje të parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit. Znj. Anita Jella kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.2.2022, ora 9:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.