Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.02.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 59/2019, datë 13.11.2019 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hysen Keta kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 189, datë 25.07.2019.

Kryesuesi i seancës bëri me dije se në fazën kur trupi gjykues ishte tërhequr për marrjen e vendimit përfundimtar, gjyqtari Ardian Hajdari, pjesë e trupit gjykues të kësaj çështjeje, u pezullua nga detyra me vendimin nr.13, datë 07.02.2022, të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Për këtë arsye, gjyqtari Ardian Hajdari u zëvendësua me short nga gjyqtarja Natasha Mulaj.

Gjithashtu, pas vendimit të ndërmjetëm të marrë nga trupi gjykues për dhënien fund hetimit gjyqësor të çështjes, më datë 1 shkurt 2022, vëzhguesja ndërkombëtare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit  një opinion (mendim me shkrim) në funksion të shqyrtimit të çështjes për subjektin e rivlerësimit Hysen Keta. Për këtë arsye, me vendim të ndërmjetëm, me shumicë votash, bazuar në nenin 315 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm për mbylljen e hetimit  gjyqësor dhe ta riçelë këtë hetim në funksion të vënies në dispozicion subjektit të rivlerësimit, opinionin e vëzhgueses ndërkombëtare.

Për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të njihet dhe të mbajë një qëndrim lidhur me këtë opinion, seanca gjyqësore u shty për në datën 16 mars 2022, ora 9:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.