Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.03.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Ankuesi paraqiti dy kërkesa paraprake drejtuar Kolegjit:

  • konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të vendimit të Kolegjit të Shqyrtimit Paraprak nr.3, datë 9.11. 2021 për njoftimin e gjykimit në seancë plenare publike, sa i përket përbërjes së trupit gjykues, të çështjes së Juridiksionit Disiplinor me nr. 3/2021, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
  • pezullimin e gjykimit deri në ushtrimin e kontrollit të kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të togfjalëshit “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të parashikuar në nenin 5, pika 3 të ligjit 84/2016 dhe nenin 6, pika 4 dhe nenin 104 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Pasi subjektet e interesuara argumentuan qëndrimin e tyre për rrëzimin e kërkesave të paraqitura nga ankuesi, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi: rrëzimin e kërkesës së parë, bazuar në nenet 133, 148/d pika 3 dhe 179/7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 5, pika 3, shkronja “b” të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, nenin 71, pika 3, të ligjit 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Sa i përket kërkesës së dytë, Kolegji çmoi se nuk gjendet në kushtet e nenit 145, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe në asnjë nga rastet e përcaktuara në nenin 297, të Kodit të Procedurës Civile, ndaj, vendosi gjithashtu, rrëzimin e saj.

Pasi u hap shqyrtimi gjyqësor i çështjes dhe gjyqtarja relatore paraqiti në mënyrë të përmbledhur ankimin e z. Bujar Memia, përfaqësuesi i tij ligjor paraqiti në mënyrë të detajuar kundërshtitë ndaj vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia”, si në aspektin procedural, ashtu edhe sa i përket themelit të çështjeve, mbi të cilat ky vendim është bazuar.

Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ndërprerjen e saj, për ta vijuar më datë 07.04.2022, ora 9:00, me paraqitjen e parashtrimeve nga ankuesi Bujar Memia dhe nga subjektet e interesuara në këtë gjykim.

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.