Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.

 

Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit lidhur me kriterin e pasurisë, duke i kërkuar Kolegjit marrjen e tyre në konsideratë, çeljen e një hetimi gjyqësor, marrjen e provave përkatëse dhe llogaritjen e të dhënave në funksion të verifikimit të burimeve finaciare që kanë shërbyer për krijimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit, sipas kërkimeve të ankimit.

 

Subjekti i rivlerësimit znj. Elbana Lluri paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik si dhe denoncimet e publikut, duke i kërkuar Kolegjit të rimarrë në cilësinë e provës disa akte qe gjenden në fashikullin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe disa akte të reja paraqitura gjatë seancës së sotme në përgjigje të çështjeve të ngritura në denoncimet e publikut. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 342, datë 02.02.2021.

 

I pyetur nga kryesuesja, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë për marrjen si provë të akteve të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, duke lënë në çmim të gjykatës marrjen si provë të akteve që përsëriten.

 

Pasi vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i drejtoi disa pyetje sqaruese subjektit të rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi:

 

 

–  pranimin dhe marrjen në cilësinë e provës së akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, të cilat, nuk gjenden në dosjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

 

  • kryerjen nga Kolegji të një analize financiare që do të mbështetet në shkaqet e ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, e cila do t’u vihet në dispozicion palëve para seancës së radhës, që u caktua të zhvillohet më datë 4 maj 2022, ora 9:00.

 

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.