Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 05.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 36/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 241, datë 26.02.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik z. Florian Ballhysa paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e fashikullit të kësaj çështjeje, të cilën, deri në këtë moment, e kishte ndjekur ish – Komisioneri Publik Darjel Sina, i cili, prej ditës se djeshme, nuk e ushtron më këtë detyrë.
Subjekti i rivlerësimit znj. Irena Gjoka informoi trupin gjykues dhe Komisionerin Publik rreth një situate të mundshme konflikti interesi të Komisionerit Publik lidhur me çështjen e saj dhe deklaroi se mund të paraqesë një akt shkresor mbështetës, të cilin nuk e dispononte në seancën e sotme, pasi vetëm gjatë séancës, erdhi në dijeni të faktit të ndryshimit të Komisionerit Publik.
Komisioneri Publik deklaroi se nuk kishte dijeni për sa më sipër.
Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik Florian Ballhysa, duke e shtyrë seancën gjyqësore për në datën 26 maj 2022, ora 10:00 dhe ftoi subjektin e rivlerësimit që në rast se e konsideron të nevojshëm për gjykimin e çështjes aktin që referoi, mund ta depozitojë atë praprakisht në Kolegj, para seancës së radhës dhe ky akt do t’i përcillet edhe Komisionerit Publik.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.