Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2020, datë 01.06.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Anila Guri kundër vendimit nr. 184, datë 19.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Anila Guri, u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti kundërshtimet e saj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 184, datë 19.07.2019, për të cilin, pretendoi se është marrë në kontradiktë me provat dhe në mosrespektim të parimit të proporcionalitetit.

Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe dy prej anëtareve të trupit gjykues lidhur me kriterin e pasurisë, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Pasi subjekti i rivlerësmit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqiste konkluzionet përfundimtare.

Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, që pas një vlerësimi tërësor, objektiv dhe proporcional të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 184, datë 19.07.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Anila Guri.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10 qershor 2022, ora 9:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.