Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.06.2021, ora 14:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, çmoi të drejtë njërin prej pretendimeve të subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë, por në tërësi, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe se gjatë gjykimit të çështjes në Kolegj nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit. Komisionerja Publike deklaroi se u qëndronte shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, duke i kërkuar Kolegjit të vlerësojë rastin nën optikën e nenit 61/5, të ligjit nr. 84/2016. Përfundimisht, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, z. Gerd Hoxha kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se janë të pabazuara në ligj dhe në prova dhe se Kolegji nuk duhet t’i marrë në konsideratë. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se arrin nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë e atë të figurës, si dhe nivel të mirë kualifikues për kriterin e aftësive profesionale. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, që në vlerësim të plotë të provave dhe shpjegimeve të dhëna prej tij gjatë procesit të gjykimit, të vendosë lënien në fuqi të vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 6 korrik 2022, ora 16:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.