Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 35/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 255, datë 08.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ludovik Dodaj.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme të trupit gjykues, kishte mbërritur në Kolegj dhe u ishte përcjellë palëve në funksion të shqyrtimit të çështjes, dosja gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Pasi palët konfirmuan njohjen me dosjen dhe pasi deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të paraqitura, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit për kriterin e pasurisë, duke qenë në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë.

Duke iu referuar etikës dhe angazhimit ndaj vlerave profesionale, Komisioneri Publik vlerësoi se shkaqet e ankimit për kriterin e pasurisë janë të mjaftueshme për të kërkuar shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj. Lidhur me dosjen gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Komisioneri Publik u shpreh se pasi e analizoi atë, nuk i rezultoi që subjekti i rivlerësimit të kishte qenë pjesë e akuzës gjatë një çështjeje gjyqësore, gjë që mund ta vendoste në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 255, datë 08.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të sbjektit të rivlerësimit.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj, kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik për pasurinë, duke deklaruar se subjekti i rivlerësimit arrin të provojë ligjshmërinë e burimeve për krijimin e pasurisë së tij. Lidhur me dosjen gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, përfaqësuesja ligjore deklaroi se dokumentacioni i sjellë provon qartë se nuk ekziston ndonjë rrethanë që do të vendoste subjektin e rivlerësimit në kushtet e konfliktit të interesit, në referencë të kriterit të vlerësimit profesional. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 255, datë 08.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 14.07.2022, ora 13:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.