Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 29 janar 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.

Gjatë seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit paraqiti informacion të detajuar për hyrje-daljet e tij nga territori i Shqipërisë dhe personave të lidhur me të, për periudhën 1 janar 2004 deri në 1 janar 2008.

Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues të marrë në cilësinë e provës tri dokumente shkresore të lëshuara nga autoritetet shtetërore me kërkesë të tij.

Trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, prova për të cilat Komisioneri Publik deklaroi se do të shprehet në konkluzionet përfundimtare.

Për t’i mundësuar Njësisë së Shërbimit Ligjor të analizojë provat e reja dhe të bëjë një rivlerësim të situatës financiare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e martë, më datë 12.02.2019, ora 09.00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.