Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.09.2022, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2020, datë 30.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr.269, datë 01.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Valdete Hoxha.

Ndërsa shprehu qëndrimin e saj lidhur me denoncimet e publikut, Komisionerja Publike znj. Irena Nino, deklaroi se ato nuk përmbajnë informacione apo rrethana të mjaftueshme, në kuptim të nenit 53, të ligjit 84/2016.

Të njëjtin qëndrim për denoncimet, mbajti edhe subjekti i rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, e cila në mbështetje të qëndrimit të saj, depozitoi disa akte të reja, të cilat u administruan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi të mos hetojë lidhur me denoncimet e publikut, pasi në to, nuk ka fakte apo rrethana, të cilat mund të konsiderohen të vlefshme për të plotësuar kriteret e nenit 53, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqëtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Komisionerja Publike vlerësoi se, nga hetimi gjyqësor dhe në vlerësim të provave të administruara, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, nuk mund të kërkohet cënimi i vendimit.të Komisionit. Përfundimisht, Komisionerja Publike kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.269, datë 01.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Edhe subjekti i rivlerësimit, përfundimisht, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.269, datë 01.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 30 shtator 2022, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.