Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.12.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 50/2020, datë 18.11.2020, që i përket ankimit të Komisioneres Publike, znj. Irena Nino, kundër vendimit nr. 257, datë 12.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Miranda Andoni.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe eventualisht, administrimin e provave të nevojshme, duke deklaruar se një vlerësim i përgjithshëm i të tre kritereve nga ana e Kolegjit, mund të çojë në një vlerësim të ndryshëm nga sa ka arritur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në përgjigje të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit paraqiti bashkëlidhur prapësimeve disa akte të reja, të cilat kërkoi të administrohen si provë nga trupi gjykues.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar si provë të gjitha aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së sotme gjyqësore, përveç një akti që nuk ishte paraqitur në formën e kërkuar nga ligji.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Duke qenë se Komisionerja Publike kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 19.12.2022, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.