Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.01.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 7/2021, datë 28.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 287, datë 04.08.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Mici.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, për kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Mici, është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, ndërsa lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, i kërkoi Kolegjit të bëjë një vlerësim tërësor, duke marrë në konsideratë gjetjet e raporteve mbi vlerësimin profesional të subjektit të rivlerësimit, të kryera nga organet gjyqësore dhe ato ndihmëse të procesit të rivlerësimit.
Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 04.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Mici.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve që paraqiti bashkëlidhur prapësimeve. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se arrin nivel të besueshëm në kriterin e figurës dhe atë të pasurisë, si dhe nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e kriterit profesional.
Në përmbyllje të parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se vendimi nr. 287, datë 04.08.2020 i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është një vendim i marrë në vlerësim të drejtë të fakteve dhe legjislacionit të zbatueshëm dhe kërkoi lënien në fuqi të tij.
Lidhur me disa denoncime të publikut, Komisioneri Publik u shpreh se nuk përmbajnë fakte dhe rrethana për hetime të mëtejshme. Lidhur me to, subjekti i rivlerësimit deklaroi se njëri prej denoncimeve, duke qenë anonim, nuk përmbush kërkesat e ligjit, pasi nuk jep të dhëna për identifikimin e denoncuesit dhe aq më pak, të fakteve apo rrethana konkrete. Lidhur me denoncimet e tjera, deklaroi se kanë të bëjnë me vendime gjyqësore të marra pas periudhës së vlerësimit dhe nuk duhet të merren në konsideratë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për riçeljen e hetimit gjyqësor, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjketi i rivlerësimit bashkëlidhur parashtrimeve.
Lidhur me denoncimet, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetim lidhur me to, pasi nuk plotësojnë kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Duke marrë parasysh kërkesën e palëve për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 13 shkurt 2023, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.