Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, në datën 31 maj 2018, seancën e dytë gjyqësore publike mbi çështjen Nr. 1/2018 (JR), datë 27.03.2018, për ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit Nr. 2, datë 16.02.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit z.Adriatik Llalla.
Në zbatim të vendimit të seancës së kaluar, avokati Sokol Hazizaj dorëzoi pranë trupit gjykues prokurën e posaçme, eskstremitetet e së cilës, sipas tij, ishin brenda kuadrit ligjor të nevojshëm, për të përfaqësuar subjektin e rivlerësimit z.Adratik Llalla në gjykimin që po zhvillohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Trupi gjykues, pasi shqyrtoi prokurën, arriti në konkluzionin se avokati Sokol Hazizaj i ka tagrat për të përfaqësuar subjektin e rivlerësimit z.Adriatik Llalla, edhe në mungesë të tij dhe e deklaroi shqyrtimin gjyqësor të hapur.
Pasi komisionerët publikë paraqitën ankimin e përgatitur dhe pasi mori fjalën përfaqësuesi i subjektit të rivlerësimit, Sokol Hazizaj, trupi gjykues vendosi të pranojë si prova në këtë shqyrtim gjyqësor, aktet e paraqitura nga përfaqësuesi, z.Hazizaj.
Trupi gjykues, pasi mori në diskutim, kërkesën e bërë nga përfaqësuesi i subjektit të rivlerësimit, avokati Sokol Hazizaj, për t’i dhënë 10 ditë kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, arriti në konkluzionin që ky afat tejkalon afatin prej 5 ditësh që parashikon neni 302 i Kodit të Procedurës Civile.
Rrjedhimisht, trupi gjykues vendosi që seanca gjyqësore e radhës për parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare, të zhvillohet në datën 6 qershor 2018, ditë e mërkurë në orën 13.00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve.