2025-06-11 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 36/2023, datë 26.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hyrjet Lamaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 668, datë 26.05.2023.
Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti sqarimet e tij lidhur me mënyrën e krijimit të pasurisë apartament me sipërfaqe 94 m², ndodhur në qytetin e Vlorës. Përfaqësuesi ligjor deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 668, datë 26.05.2023 është i pabazuar në fakte dhe në ligj dhe i kërkoi Kolegjit që, pasi të marrë në konsideratë sqarimet e plota mbi ligjshmërinë e pasurisë objekt shqyrtimi, të marrë një vendim të drejtë, të paanshëm, të bazuar në prova.
Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores së çështjes në funksion të shqyrtimit të çështjes.
I pyetur nga kryesuesja e seancës gjyqësore lidhur me kërkimin përfundimtar, subjekti i rvlerësimit kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 668, datë 26.05.2023 dhe konfirmimin e tij në detyrë.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 11.06.2025, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.