2025-07-29 19:09 - 2025-07-29 19:09
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.07.2025, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2023, datë 03.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Genci Mane.
Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se në Kolegj kishin mbërritur përgjigjet e dyta të Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier si dhe Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Sh.A, dhe u ishin përcjellë palëve, të cilat konfirmuan njohjen me to.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, në qëndrimin që mbajti lidhur me përgjigjet, konstatoi se nuk ekzistojnë kopje aktesh, në bazë të të cilave të jenë lidhur kontrata mes këtyre enteve dhe subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se u konfirmua qëndrimi i mbajtur prej tij në seancën e mëparshme, të datës 14.07.2025, se përgjigjet e institucioneve kanë qenë shteruese, pasi kontrata të tilla nuk ekzistojnë.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi administroi në cilësinë e provës përgjigjet e institucioneve dhe qëndrimet e palëve të mbajtura gjatë seancës së sotme, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Gjatë paraqitjes së tyre, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se edhe gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit. Z. Xholi vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk mbulon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, z. Adnan Xholi i kërkoi Kolegjit që, mangësitë e përsëritura, të vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, t’i vlerësojë së bashku me problematikat në kriterin e vlerësimit të pasurisë, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Genci Mane.
Subjekti i rivlerësimit vijoi me konkluzionet përfundimtare, duke dhënë në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e tij në përgjigje të shkaqeve të ankimit e në referencë të provave në dosje, si dhe duke i kërkuar përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në datën 29.07.2025, në orën 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.