2025-11-03 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.10.2025, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 31/2023, datë 17.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Armand Gurakuqi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 652, datë 28.04.2023.
Subjekti i rivlerësimit Armand Gurakuqi u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti sqarimet e tij rreth situatës faktike lidhur me marrëdhënien e huasë mes bashkëshortes së tij dhe z. F.Sh., si dhe marrëdhënien e bashkëpunimit mes saj dhe z. Z.Z., ortak pranë shoqërisë investitore “A.C.” ShPK. Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke deklaruar se është e padrejtë dhe e pabazuar lidhja e emrit të tij me cenimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, pasi nuk ekziston asnjë provë apo rrethanë për të vërtetuar gjendjen në konflikt interesi, çka do të mund të çonte në cenimin e besimit. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve që relatorja e çështjes ia drejtoi në emër të trupit gjykues, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
- Të mos administrojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit bashkëlidhur parashtrimeve të seancës gjyqësore në dhomë këshillimi të datës 2.10.2025 - përveç akteve që janë të aksuesueshme nga burime të hapura në sistemin elektronik të QKB-së - pasi nuk plotësojnë kërkesat e nenit 47 dhe 49 të ligjit 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar, dhe nenit 49, pika 6, germa “a”, e ligjit 84/2016.
- Të mos administrojë në cilësinë e provës aktet shkresore të cituara në seancën gjyqësore të ditës së sotme, pasi nuk kanë formën e duhur ligjore, sic janë komunikimet nëpërmjet aplikacioneve telefonike si dhe deklarimin perdiodik vjetor të vitit 2021.
Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 03.11.2025, ora 9:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.