2025-10-17 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 15.10.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2023, datë 02.08.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023, për subjektin e rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës një akt, të cilin, në seancën e mëparshme, i dha mundësinë subjektit të rivlerësimit ta paraqiste në formën e kërkuar nga ligji.
Në vijim, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se, pas vlerësimit të parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit në raport me aktet në dosje, u provua ligjshmëria e të ardhurave nga aktiviteti bujqësor i familjes, si dhe se nuk rezulton asnjë provë apo dyshim për ndonjë aktivitet të jashtëligjshëm të subjektit të rivlerësimit apo familjarëve të tij. Z. Braho deklaroi se problemet e konstatuara lidhur me kriterin e pasurisë nuk janë të një natyre të tillë, që do ta vendosnin atë para masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.
Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, z. Braho deklaroi se disa problematika të vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës, nuk konsiderohen si mangësi serioze, të tilla, që të kishin cenuar zgjidhjen e drejtë të çështjes.
Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Brahoi i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit dha në mënyrë të përmbledhur disa shpjegime lidhur me ankimin, duke deklaruar se fakti që u provua ligjshmëria e të ardhurave të familjes bujqësore, bën që shkaqet e ankimit të kenë rënë dhe të jetë hequr dorë prej tij. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023.
Në vijim, vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me ndryshimin e kërkimit përfundimtar. Në përgjigje të pyetjes, z. Braho sqaroi se Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka mbajtur edhe më parë qëndrime të ngjashme, të cilat Kolegji i ka trajtuar si tërheqje nga ankimi dhe i ka interpretuar sipas kompetencave të tij.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.10.2025, ora 12:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.