2025-10-17 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.09.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2024, datë 29.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024, për subjektin e rivlerësimit Gentian Habazaj.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se, pas vlerësimit të parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit në raport me aktet në dosje, u provua vazhdimësia e të ardhurave të ligjshme të prindërve të tij ndër vite, edhe pse ata nuk konsiderohen ligjërisht persona të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Z. Xholi deklaroi se problemet e konstatuara lidhur me pasurinë e krijuar nga prindërit para se z. Habazaj të merrte detyrën e prokurorit, nuk e vendosin atë në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.
Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, z. Xholi deklaroi se është shëruar një shkak ankimor i bazuar në një prej denoncimeve, ndërkohë që disa mangësi të vërejtura gjatë trajtimit të procedimeve penale prej tij gjatë ushtrimit të dteyrës, nuk janë të tilla që ta vendosin para masës disiplinore të shkarkimit.
Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024.
Në vijim, përfaqësuesi ligjor dhe subjekti i rivlerësimit dhanë në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e tyre lidhur me shkaqet e ankimit, duke deklaruar se u provua e kundërta e tyre, si dhe fakti që deklarimet e z. Habazaj kanë qenë gjithmonë të sakta, të qarta dhe jo kontradiktore. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.10.2025, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.