2025-03-13 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.05.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2022, datë 30.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 524, datë 08.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova.
Në vijim të seancës së mëparshme gjyqësore, kryesuesja informoi se në Kolegj ka mbërritur përgjigjja e AKSIK-së, nëpërmjet së cilës bëhet me dije që ShISh ka rezufuar të kryejë deklasifikimin e raportit të përditësuar për subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova. Gjithashtu, shoqëria ndërtuese e apartamentit të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, i është përgjigjur kërkesës së Kolegjit, duke bërë me dije se nuk disponon informacion për rastin, pasi është tejkaluar afati 5-vjeçar i ruajtjes së dokumentacionit. Palët konfirmuan njohjen me paketën e plotë të këtyre akteve.
Lidhur me sa më sipër, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se në mungesë të informacionit të kërkuar, duhet të procedohet me provat dhe të dhënat që janë administruar në dosje gjatë procesit të zhvilluar në KPK dhe KPA.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se provat që janë pjesë e dosjes gjqësore janë shteruese dhe përcaktojnë qartë të gjitha marrëdhëniet juridike të subjektit të rivlerësimit. Përfaqësuesja ligjore shtoi se ShISh nuk ka dhënë ndonjë shkak ligjor mbi arsyet e përjashtimit nga deklasifikimi të raportit të përditësuar për subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova. Nëpërmjet një kërkese të paraqitur me shkrim, përfaqësuesja ligjore, i kërkoi Kolegjit që, duke qenë se trupi gjykues, ashtu si dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, është njohur me raportin e klasifikuar, të bëjë me dije nëse raporti i përditësuar, ka ndryshime krahasuar me të mëparshmin. Në kuadër të një procesi të rregullt ligjor, ky informacion do të ndihmonte subjektin e rivvlerësimit të mbante një qëndrim të bazuar në rast se do të konsiderohej e nevojshme nga trupi gjykues.
Lidhur me këtë kërkesë, në emër të trupit gjykues, kryesuesja deklaroi se Kolegji nuk gjendet në rrethana të tilla që të mund të japë konkluzion lidhur me një raport të hartuar nga një grup pune i ngritur për këtë qëllim, si dhe bëri me dije se trupi gjykues nuk ka konstatuar çështje për të cilat është e domosdoshme që subjekti i rivlerësimit të mbajë një qëndrim.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 524, datë 08.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova. Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit mbajti të njëjtin qëndrim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.03.2025, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.