Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.07.2025, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 43/2024, datë 05.11.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024, për subjektin e rivlerësimit Flora Çela.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani deklaroi se edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit, duke mos përmbushur kriteret kushtetuese për të arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Z. Dumani, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Flora Çela.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, znj. Flora Çela u shpreh se masa e shkarkimit nga detyra mund të kërkohej vetëm nëse do të provohej që mangësitë gjatë ushtrimit të funksionit do të ishin sistematike, tepër të rënda, të pakorrigjueshme nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që deklaroi se në çdo rast ka ushtruar detyrën sipas kompetencave ligjore dhe bindjes së brendshme. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi mospranimin e ankimit si të pabazuar në prova e ligj dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23.07.2025, ora 15:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.