2025-06-10 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 49/2023, datë 27.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 696, datë 11.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Marsida Frashëri.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit, pasi shkeljet e saj profesionale janë të tilla që nuk mund të korrigjohen nga programi i trajnimit i Shkollës së Magjistraturës dhe se, znj. Frashëri ka cenuar rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik, pasi sipas saj, në shkelje të Kushtetutës, është ushtruar ankim ndaj një vendimi të paankimueshëm, siç është vendimi i ndërmjetëm i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ka vendosur pezullimin nga detyra të znj. Marsida Frashëri për një periudhë 1- vjeçare dhe ndjekjen e programit të trajnimit të Shkollës së Magjistraturës.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve nga relatorja e çështjes në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se i qëndron ankimit, për më tepër, që subjekti i rivlerësimit nuk kundërshtoi thelbin e tij. Z. Klodian Braho kundërshtoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi pavlefshmërinë e ankimit, duke argumetuar se ankimi i Komisionerit Publik është ushtruar ndaj vendimit përfundimtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, atij të konfirmimit në detyrë, ndërkohë që nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore mbi pretendimin e ngritur nga subjekti i rivlerësimit. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 696, datë 11.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Marsida Frashëri.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit mospranimin e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 696, datë 11.09.2023, si një vendim i parishikueshëm dhe i paankimueshëm, si dhe lënien në fuqi të tij.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10.06.2025, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.