2025-11-13 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.11.2025, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2023, datë 09.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Agron Bushati.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se janë konstatuar shkelje, sjellje e veprime që bien ndesh me standardet e etikës së magjistratit, të tilla që kualifikohen në ato që cenojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Agron Bushati.
Në prapësim të ankimit, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara në argumenta ligjorë, se bëhet fjalë për sjellje të paqëllimshme pa pasoja reale të subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, pa peshë konkrete, për mangësi formale të adresuara me masë disiplinore nga organet përkatëse, por që nuk janë shndërruar në model sjelljeje të përsëritur. Përfaqësuesja ligjore deklaroi se problematikat e vërejtura nuk arrijnë pragun e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe nuk plotësojnë kriteret që do të mund të çonin në aplikimin e masës ekstreme disiplinore, atë të shkarkimit nga detyra. Në mbështetje të pretendimeve të tij, bashkëlidhur parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të relatores së trupit gjykues, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetime të mëtejshme. Të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me denoncimet, ndau edhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit.