Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.01.2025, seancën gjyqësore publike të çështjes me (JR) 26/2022, datë 16.06.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Eriselda Bala kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 523, datë 07.04.2022.
Në funksion të konstatimit të saktë dhe të plotë të situatës faktike që lidhet me mënyrën e pagesës së çmimit të apartamentit në pronësi të subjektit të rivlerësimit, të ndodhur në qytetin e Tiranës, subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore paraqitën parashtrimet e tyre për mënyrën e kryerjes së pagesave dhe kohën e kryerjes së tyre për apartamentin në fjalë, duke paraqitur dhe akte dokumentare, të cilat përfaqësuesja ligjore e subjektit kërkoi të pranohen në cilësinë e provës.
Në vijim të seancës, subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore ju përgjigjen pyetjeve të Vëzhguesit Ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në lidhje me marrëdhëniet e subjektit të rivlerësimit me shoqërinë ndërtuese të apartamentit, dhe një bankë të nivelit të dytë, në funksion të sqarimit të rrethanave të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe pranimin e akteve të individualizuara në këtë seancë gjyqësore nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit. Në vijim, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke i kërkuar subjektit të rivlerësimit qëndrimin përfundimtar për çështjen.
Subjekti i rivlerësimit Eriselda Bala, në përfundim të gjykimit, kërkoi ndryshimin e vendimit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 523, datë 07.04.2022 dhe konfirmimin në detyrën e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.01.2025, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.