Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.04.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2022, datë 17.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 521, datë 01.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erjon Shehaj.
Kryesuesi i seancës gjyqësore bëri me dije se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur në Kolegj disa akte, të cilat, gjatë seancës së mëparshme, u ftua t’i paraqiste në formën e kërkuar nga ligji. Këto akte i ishin vënë në dispozicion edhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani para seancës gjyqësore.
Kryesuesi i seancës gjyqësore informoi gjithashtu, se në Kolegj, para seancës gjyqesore kishte mbërritur një denoncim i ri nga publiku, i cili u ishte përcjellë palëve në proces po para seancës. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i ishte përcjellë paraprakisht edhe qëndrimi me shkrim i subjektit të rivlerësimit lidhur me këtë denoncim.
Lidhur me aktet, z. Dumani u shpreh se ishin paraqitur në formën e kërkuar nga ligji, ndërsa lidhur me denoncimin, u shpreh se në të, nuk ka shkaqe që do të kërkonin hetim të mëtejshëm. Në këtë kuadër, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit përsëriti qëndrimin se ky i fundit nuk kishte trajtuar çështje që lidheshin me këtë denoncim, rrjedhimisht denoncimi nuk përmbushte kriteret ligjore për t’u hetuar nga Kolegji.
Trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, si dhe të mos çelë hetim për denoncimin, pasi vlerësoi se nuk përmban elementët e kërkuar nga neni 53, i ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit dhe kërkoi që të metat e konstatuara në kriterin e aftësive profesionale dhe etikës së subjektit të rivlerësimit, të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes në kuptim të nenit 4, pika 2 të ligjit nr.84/2016, i ndërlidhur me nenin 61, pika 5 të tij. Përfundimisht, z. Dumani kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 521, datë 1.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shehaj.
Subjekti i rivlerësimi, përmes përfaqësuesit ligjor, mbajti të njëjtin qëndrim mbi ankimin, duke pretenduar se nuk ekzistojnë argumente sesi mund të jetë cenuar indikatori i vlerësimit të aftësive profesionale dhe aq më tepër, besimi i publikut tek drejtësia. Sipas tij, rrethanat e evidentuara për kriterin e aftësive profesionale mund të merreshin në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes për të trija kriteret e vlerësimit dhe jo në rastin konkret, kur ndaj subjektit të rivlerësimit nuk janë ngritur shkaqe ankimi për dy kriteret e tjera, të pasurisë dhe të figurës. Përfundimisht, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 521, datë 01.04.2022, si një vendim i drejtë, i bazuar në prova e në ligj.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 09.04.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.