Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.12.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR)17/2024, datë 21.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.735, datë 31.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Nushi.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se bazuar në shqyrtimin e akteve në dosje rezulton që mangësitë e vërejtura në kriterin e aftësive profesionale nuk janë në atë masë për t’u konsideruar serioze apo për të aplikuar masën e shkarkimit nga detyra. Z. Klodjan Braho çmoi se problematikat lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk kanë peshë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe se subjekti i rivlerësimit dha shpjegime bindëse, sa i përket padijenisë së tij për ndërtimin e paligjshëm mbi një pasuri në përdorim të tij, si dhe mbi pasurinë në pronësi të prindërve të tij. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.735, datë 31.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Nushi.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin kërkim përfundimtar me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Pasi trupi gjykues dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 17.12.2025, ora 14:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
