Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.01.2026, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 51/2023, datë 06.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Jurida Bajraktari.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho i qëndroi vlerësimit se mangësitë e subjektit të rivlerësimit, znj. Jurida Bajraktari, në aspektin profesional janë të tilla që nuk mund të korrigjoheshin nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës i ndjekur prej saj, dhe se nuk u arrit të provohej e kundërta e ankimit as lidhur me pasaktësitë e evidentuara në deklarimin e pasurisë. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se Kolegji duhet të marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes edhe mospërmbushjen e kritereve ligjore nga znj. Bajraktari në procedurën e punësimit si ndihmëse ligjore, si cenim të etikës së saj profesionale, mangësi kjo e pakorrigjueshme nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Bajraktari, konsiderohet e papërshtatshme për të vijuar detyrën bazuar në nenin 61/5 të ligjit 84/2016 dhe përfundimisht kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023 e shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Jurida Bajraktari.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit dha shpjegime të detajuara në prapësim të shkaqeve të ankimit, duke deklaruar se janë të padrejta, të pabazuara në ligj e në prova. Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, përfaqësuesja ligjore deklaroi se i vetmi autoritet ekskluziv që vlerëson korrigjimin e mangësive të subjektit të rivlerësimit në aspektin profesional pas ndjekjes së trajnimit, është Shkolla e Magjistraturës, e cila ka dhënë vlerësim pozitiv, çka duhet konsideruar si provë vendimtare në këtë proces. Përfaqësuesja ligjore deklaroi se procedura e punësimit si ndihmëse ligjore e subjektit të rivlerësimit, nuk duhej përfshirë si shkak ankimi, ndërsa përsëriti qëndrimin se pasaktësitë në deklarimin e pasurisë nuk janë të tilla që të përmbushin standardet e deklarimit të pasaktë. Duke vlerësuar se nuk ka lidhje logjike në të tri kriteret e vlerësimit për cenim të besimit të publikut tek drejtësia, sjellje apo prova konkrete, përfaqësuesja ligjore i kërkoi përfundimisht Kolegjit mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 09.02.2026, ora 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
